A mund të ndodhë që lojtari të mos e kuptojë se ka fituar? i ngjau Donarumës!

Pak vjet më parë, një keqkuptim i tillë ndodhi në serinë finale të plej ofit në NBA dhe pati pasoja negative pasi Klivlend Kavaliersët dhe Lebron Xhejmsi humbën titullin. Ja ku ndodhi sërish një hutim i tillë, por për fat të mirë pa pasoja. Portieri i Italisë, Xhanluixhi Donaruma, krejt papritur nuk festoi aspak ndërsa priti penalltinë ndaj Bukajo Sakasë së Anglisë në finalen e Kampionatit Europian në “Uembli”. Në foto duken qartë Beloti e Di Lorenco, shokët e tij tek Italia, që vrapojnë si të çmendur drejt tij, ndërsa vetë Donaruma duket i mërzitur. Përse vallë? Vetë portieri tregon se “mendova se ne kishim humbur që kur Jorginjo nuk shënoi penalltinë e tij, ndaj edhe nuk ishte aspak i gëzuar, përkundrazi”. Për fatin e tij, kjo gjendje zgjati vetëm pak sekonda.

Sfidanti.al