Zhgënjen Vllaznia, mundet nga Daugavpils

Vllaznia e ka nisur në mënyrë zhgënjyese aventurën në Conference League, teksa është mundur në “Elbasan Arena” nga Daugavpils e Letonisë, skuadër debutuese në Evropë. Goli i shënuar nga Valerijs Lizunovs në minutën e 85-të ishte i pari e njëherazi i dha fitoren e parë skuadrës së tij në kompeticionet evropiane.

Ndeshja në Elbasan nisi sipas parashikimeve, me Vllazninë menjëherë dominuese të territorit, por u desh të kalonte gjysma e pjesës së parë për të rrezikuar, kur Kruja gjuajti nga jashtë zonës, në minutën e 24-t, pas grushtimit të portierit, por topi kaloi mbi tra. Që nga ai moment presioni i Vllaznisë u rrit së tepërmi dhe rastet erdhën radhazi, aq sa goli dukej vetëm çështje kohe.

Në minutën e 29-të Dodaj ndalet nga portieri, pas pasimit nga Balaj. Në të 35-tën, sërish Dodaj del përballë portierit në zonë dhe gjuan, por Beks shpëton mrekullisht portën me këmbë. Tri minuta më pas dueli përsëritet dhe, edhe njëherë tjetër, Beks ndal Dodajn. Në minutën e 40-të, Dodaj preferon të pasojë brenda zonës dhe një mbrojtës e nxjerr jashtë duke rrezikuar autogolin. Dominim i shkodranëve para pushimit, me raste të shumta kundrejt asnjë të letonezëve, dhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin vrull. Por pas dhjetë minutash lojë, ritmi i shkodranëve ra shumë, aksionet u bënë të ngadalta e nervoze, ndërsa Daugavpils duket e kënaqur. Letonezët nuk sulmojnë pavarësisht lodhjes së Vllaznisë, por pesë minuta para përfundimit godasin befasisht.

Krosim i lartë nga e djathta, brenda zonës nga e majta e sulmit Lizunovs e harkon topin me kokë në shtyllën e kundërt dhe Qarri sheh tundjen e rrjetës. Shkodranët nxitojnë të barazojnë dhe në minutën e 91-të gjuan Balaj, por mbi tra. Në sekondat e fundit, pas një goditjeje nga këndi Gurishta gjuan me kokë dhe Beks bën pritjen e fundit. Vllaznia del e mundur nga beteja e parë, megjithatë lufta është ende e hapur.

sfidanti.al