Vrioni shkëlqen si Broja dhe Uzuni, synon Këpucën e Artë në Bundesligën austriake!

Ishte në dyshim, por u rikthye duke lënë shenjën e tij. Edhe pse skuadra e tij humbi, Xhakomo Vrioni nuk u ndje aspak i tillë, dhe jo vetëm për golin që shënoi. Ylli i huazuar nga Juventusi la pas dëmtimin dhe ishte pjesë e një ofensive të minutave të fundit të Tirolit në fushën e Ridit, që thuajse barazoi rezultatin. Lojtari i kombëtares shqiptare realizoi për 2-3 në 91’, ndërsa deri në fund Ridi kryesoi 3-0, por barazimi nuk u arrit. Për Vrionin ishte goli i 10-të i sezonit në Bundesligën austriake.

Sulmuesi shqiptar është vetëm 4 gola larg kreut të renditjes për Këpucën e Artë, që mbahet nga ylli i Salcburgut, Karim Adejemi, dhe një gol prapa vendit të dytë. Padyshim që mund të shpresojë për trofeun e madh individual. Vrioni i ka shënuar 10 golat në vetëm 14 ndeshje në Bundesligën austriake, në të cilat ka shërbyer edhe 2 asiste.  Diçka e shkëlqyer për një lojtar që ka luajtur vetëm 60 për qind të minutave, e që do të thotë se ka mesataren gati 1 gol për ndeshje. Këtyre i shtohen edhe 2 gola në 2 ndeshje në Kupën e Austrisë.

Me këto statistika, Vrioni krahasohet me shkëlqimin e Armando Brojës në Angli, të Myrto Uzunit në Hungari, apo edhe të Sokol Cikalleshit në Turqi. Një rikthim në verë tek Juventusi duket i vështirë, pasi :Zonja e Vjetër” ka Vlahoviçin, Moratën e Dibalën, por gjithsesi 23-vjeçari mund të pretendojë të rikthehet në Serinë A.

Sfidanti.al