Në një prononcim të fundit, që duhet të ishte një bilanc i arritjeve dhe dështimeve të vitit që po mbyllet, si dhe përshëndetje për të ardhshmin, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, tha se ndoshta do të ketë një tjetër skuadër të madhe që mund ta lërë Superioren. Pra tani dikush duhet të dridhet, pasi prej kohësh, në futbollin shqiptar nuk funksionoin më gara, por emërimet. Shefi i madh i ka eksluzivisht në dorë, që nga zgjedhja e trajnerëve të ekipit Kombëtar, ku prej kohësh ka hequr kriterin më të rëndësishëm, CV-në dhe deri tek përcaktimi paraprakisht (ose edhe gjatë rrugës, kjo varet nga sjellja), e kampionëve dhe e atyre që duhet të largohen. Madje së fundi ka marrë përsipër edhe të kompozojë melodinë e vërshëllimave të arbitrave, për t’i dhënë më shumë kuptim kësaj lloj gare. Duka deklaroi se është tifoz i vjetër i Vllaznisë, por duket se tani e ka shumë të vështirë të bëjë shpëtimtarin dhe në këtë rast ka edhe mëkatarë të tjerë në qarkullim.
Drejtuesit e klubit shkodran, jo vetëm që e kanë pasur të pamundur për të ndërtuar një ekip konkurrues, por vit pas viti e kanë rritur frikshëm faturën e borxheve. Edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, drejtuesja e institucionit premtoi se së shpejti do të fillojnë procedurat e shitjes së aksioneve, por ka shumë mundësi, që i gjithë operacioni ta ketë të pamundur të zhvillohet, pikërisht për shkak të debive të klubit. Pra ai që do të vijë për të shpëtuar Vllazninë, nuk duhet të shpenzojë vetëm për të ricikluar historinë e një emri të madh të futbollit të vendit, por edhe të paguajë ekstra shifra të palogjikshme, për shkak të dëmit që kanë shkaktuar ndër vite drejtuesit mendjendritur të qytetit dhe të klubit. Deri tani janë shpenzuar shifra jo normale në disa merkato, që në përgjithësi kanë qenë të gjitha të dështuara. Trajneri Cungu thërriste për modesti, ndërkohë që entuziastët e pakontrollueshëm, pas ndonjë fitore jo shumë të shpeshtë, i kërkonin pjesmarrjen në kupat e Europës. Dhe mbi të gjitha, Vllaznia u kthye në një han pa porta, ku gjithkujt që i shkonte në mendje, mund të largohej pa i paguar asnjë detyrim klubit. Ndërsa tani në fund, publikut i thuhet se vetëm një amnisti fiskale mund ta shpëtojë këtë klub historik, por një gjë të tillë mund ta bënte vetëm Duka, pasi po I afrojnë zgjedhjet… veçse këtë nuk e ka në dorë. Kjo Vllazni prej kohësh ka prekur fundit dhe mund ta shpëtojë vërtetë vetëm ai tifozi i vjetër, qoftë edhe duke i dhënë sërish shansin për një 90 minutësh të fundit.