Viktoria u lutet tifozëve : mos blini bileta për ndeshjen me Partizanin në Beograd!

Viktoria Pëlzen çeke po u lutet tifozëve të vet që të mos blejnë bileta për ndeshjen me Partizanin e Beogradit në kuadrin e fazës 1/16 të Ligës së Evropës, duke pasur frikën se UEFA mund të vendosë që ta zhvillojë ndeshjen mes këtyre dy ekipeve në Beograd pa praninë e shikuesve. Ka paralajmërime se UEFA do ta dënojë seriozisht Partizanin e Beogradit, ndërkohë që lajmet nga Cekia vetëm se i “hedhin benzinë zjarrit”, duke pasur parasysh trazirat e mëdha që ndodhën në ndeshjen mes Partizanit dhe Crvena Zvezdës në stadiumin beogradas “Humska”, ku u arrestuan rreth 30 veta, si edhe u plagosën dhjetëra tifozë gjatë zënkave dhe rrahjeve fizike masive mes tyre.

“Gjatë vizitës sonë në Beograd dhe klubin e Partizanit, ne u paralajmëruam për mundësinë që ndeshja të zhvillohet pa praninë e shikuesve, për shkak të problemeve që Partizani ka me tifozët e vet”, vuri në dukje zëdhënësi i klubit çek Viktoria Pëlzen, duke shtuar: “Ne u lutemi tifozëve tanë që të mos blejnë bileta dhe të mos shpenzojnë para për rezervime hotelesh, sepse asgjë nuk është e sigurt”.

Sfidanti.al