Pele: Është koha që Nejmari ta tregojë se është më i miri

Shumëkush e konsideron Pelen si lojtarin më të mirë në historinë e futbollit botëror, kështu që çdo gjykim i tij për një temë të caktuar lidhur me futbollin merr një rëndësi të veçantë. Në një bisedë me radiotelevizionin informativ rus në gjuhën angleze, “Russia Today”, sulmuesi legjendar brazilian i Santoshit dhe i Nju Jork Kozmosit ishte i detyruar që t’i përgjigjej edhe pyetjes tradicionale së përheshme se kush është futbollist më i mirë, Leo Mesi apo Kristiano Ronaldo?

“Mua më pëlqejnë që të dy. Sidoqoftë, nëse do të më duhet që të zgjedh mes tyre, duke pasur parasysh stilin e tyre të ndryshëm, unë do të zgjidhja Mesin”, theksoi Pele që e bëri të famshëm nr.10. Dikur, te Santoshi, nr.8 ishte shumë i preferuar, ishte magjik dhe ai u jepej “magjistarëve” të futbollit, kështu që, atëkohë, nr.8 ishte i zënë dhe Peles iu dha nr.10, të cilin ai e bëri mëse të famshëm, duke e lënë në hije nr.8.

Me që ra fjala për Mesin dhe Ronaldon, sigurisht që nuk mund të shmangej përmendja e Nejmarit, për të cilin Pele tha se tani që ka kaluar te PSZH-ja, është koha që ai të tregojë se është më i miri!

Sfidanti.al