Me afrimin e ndërrimit të viteve dikush kujdeset edhe për dhuratat e në sektorin e fushës së blertë, nuk ka më të përshtatshëm për ta bërë shpërndarjen e tyre, se vetë babagjyshi i futbollit të sotëm shqiptar. Pra nuk ka vetëm mallkime dhe shkarkime, por është menduar edhe për shpërblime të kushtueshme. Deri tani është folur për arbitra të larguar, furtunë e nisur menjëherë pas përfundimit të kampionatit të kaluar, ku si personazh kryesor i gijotinës u bë Lorenc Jemini. Ndërsa përfundimisht kemi emrat e bilbilave shqiptarë që do të mbajnë në gjoks stëmën e FIFA-s. Dhe për të kuptuar konceptin e dhuratës, duhet kujtuar se procedura e mbërritjes deri tek stema është ajo e dikurshmja. Renditen emrat, duke respektuar numrin e arbitrave që të kërkohen, por sigurisht pasi të kenë marrë paraprakisht bekimin e kryetarit, dërgohen në Zvicër dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush atje të t’i refuzojë.
Kështu, tani e në vazhdim, këtë fat të madh do ta ketë sërish Enea Jorgji, i cili sezonin e kaluar nuk u devijua nga rruga e “Zotit”, madje pavarësisht gafave qesharake në ndeshjen Kukësi – Skënderbeu, që vendosën drejpërdrejtë për fatin e titullit kampion, u rehabilitua menjëherë, duke vazhduar rrugën e kundërt të Jeminit. Ndërkohë që kanë marrë gradën më të lartë të arbitrimit, Juxhin Xhaja dhe Helidon Hamitaj, megjithëse duket qartë, se ende nuk janë të gatshëm për diçka kaq të madhe. Tani le të shpresojmë që këta janë vërtetë arbitra të perspektivës, për të mos ndodhur si me rastin e Andi Koçit, të cilit ia grisën stemën vetëm pas një viti. Dhe “perspektivë”, në FSHF do të thotë një rrugë e vetme e përcaktuar, të cilën ka ustallarë të vjetër që ta tregojnë.