Kur Shqipëria vihet përballë të huajve, ajo vendoset në rolin e një nxënëseje që i ka të gjitha mundësitë të jetë më e mirë, por që vazhdon me prapësitë e veta. Diplomatë e politikanë sidomos, e kanë në majë të gjuhës fjalën “reformat”. Kur vjen puna tek futbolli, fjala e parë në majë të gjuhës është “trukimet”. Vërtet e kanë kaq seriozisht, dhe vërtet nxënësja “Shqipëri” ka mundësi të bëhet kaq e mirë?
Nëse shikojmë pak rrotull, kuptojmë se shumica e këtyre diplomatëve apo politikanëve të huaj, kanë shtrënguar duart, kanë bërë fotografi pikërisht me ata emra të politikës shqiptare që akuzohen përditë në lidhje me drogën dhe krimin e organizuar. Që kur ishte në fuqi Nano, pastaj Berisha, e tani Rama (secili me “shpurën” e tij) akuzat vinin jo vetëm nga opozita shqiptare, por edhe nga “opozita” në Parlamentin Europian, nga e majta apo e djathta e Europës.
Sot, e dimë se këta politikanë kanë bërë “proçka” që nga 1997-ta, Gërdeci, Lazarati apo kanabizimi i gjithë vendit. Në një realitet të tillë, presidentët e futbollit, të akuzuar deri në “veshë” për baste, mund të thonë gjithë kurajë: Çfarë e dëmton më shumë Shqipërinë, bastet tona, apo droga e politikës?
Sfidanti.al