Uzuni “pushton” Hungarinë duke u zgjedhur në gjithë formacionet e sezonit!

Shkëlqimi ishte i plotë dhe mori shpërblimin që meritonte. Myrto Uzuni u përzgjodh në formacionin më të mirë të sezonit në Superligën e Hungarisë, pas anketave të gazetës më të madhe sportive në vend, “Nemzeti Sport”. Lexuesit e të përditshmes së Budapestit votuan në ekipin e vitit shtatë lojtarë të Ferencvaroshit që doli kampion i vendit, mes të cilëve edhe Uzunin. Sulmuesi i kombëtares ishte një nga lojtarët më të vlerësuar, ndërsa shënoi 12 gola e shërbeu 3 asistë këtë edicion të ligës, plus 3 gola të tjerë në Champions.

Përveçse ishte në formacionin e vitit nga lexuesit, beratasi 25-vjeçar u përfshi në ekipin më të mirë të përzgjedhur nga gazetarët e “Nemzeti Sportit”, e po ashtu në njëmbëdhjetë më të mirët në bazë të notave të marra për paraqitjen e çdo jave në kampionat. Uzuni ishte një nga futbollistët më të mirë të Superligës në 2020-2021, së bashku me Këpucën e Artë Janosh Han, dhe 3 lojtarë të tjerë të Ferencvaroshit, mes të cilëve edhe kapiteni Lovrençiç. Me gjasë, ylli i Shqipërisë mund të largohet nga Hungaria edicionin e ardhshëm pasi mund të ketë kërkesa nga klube të tjerë, ndër të cilët i pari është Olimpiakosi i Pireut në Greqi. Gjithsesi, sipas mediave hungareze, Ferencvaroshi nuk ka dëshirë që ta lejojë shqiptarin të ikë, ndërsa kërkon të paktën 4 milionë euro për kartonin e tij.

Sfidanti.al