“Shkëlqen dielli në Rusi”. Kjo është motoja e shkruar në autobusin e Uruguajit, dhe skuadra e madhe amerikanojugore do të përpiqet që dielli i saj të mos perëndojë as pas ndeshjes ndaj Portugalisë. Dy herë kampionët e botës udhëtuan nga Nizhni Novgorodi drejt Soçit, ku luhet për të tetat e finaleve. Ata u pritën nga mjaft tifozë, pranë hotelit në qytetin turistik rus buzë Detit të Zi.
Trajneri Tabarez mirëpret në ekip mbrojtësin Gimenez që kaloi dëmtimin, ndërsa nuk ka shqetësime të tjera. Ai vlerëson gjithçka me qetësi. “Do të jetë një ndeshje e madhe, por nuk duhet të mendojmë më shumë sesa duhet për të, ndryshe do të stresohemi e nuk do të përqëndrohemi, – thekson ai, – Për fat, kemi përvojë. Portugalia është shumë e fortë, me 9 lojtarë që dolën kampionë të Europës. Ne po ashtu kemi 12 vjet që punojmë bashkë, dhe kemi objektiva madhorë në këtë Botëror. Përsa i përket Ronaldos, atë nuk mund ta ndalojë asnjë lojtar në botë, plani ynë është që ta ndalojmë si skuadër”.
Portugalia po ashtu udhëtoi drejt Soçit, me gjithë vëmendjen e tifozëve te Kristiano Ronaldo. Kampionët e Europës duken të qetë, të mësuar tashmë me sfida të tilla. Në dyshim është vetëm mesfushori Uilliam Karvaljo, që mund të zëvendësohet nga Mutinjo. Të gatshëm pas dëmtimit janë Martins e Gerreiro.
Trajneri Fernando Santos vlerëson lart rivalin. “Forca e Uruguajit është gjithë skuadra e Uruguajit, duke nisur nga trajneri Tabarez, që është me përvojë shumë të gjatë dhe me cilësi shumë të lartë, – është analiza e tij, – Po ashtu, ka futbollistë shumë të mirë në çdo repart. Nuk pësoi gol në fazën e grupeve, ndërsa ka sulmues të mëdhenj si Suarez e Kavani. Edhe ne kemi lojtarë të nivelit më të lartë, ndaj pres një ndeshje të fortë. Nuk varemi nga Ronaldo, por shpresojmë që të na ndihmojë për të arritur kualifikimin”.
Tifozët portugezë janë me shpresë që skuadra e tyre do të jetë sërish e suksesshme, dy vjet pas titullit europian. Të mësuar me fitore, ata nuk duan që të zhgënjehen.
Sfidanti.al