Suarez-Pepe dhe Ronaldo-Godin, futbolli mund të bëhet edhe i shëmtuar

Mund të shohim një betejë, jo vetëm sport. Uruguaj-Portugali do të thotë sfidë mes dy ekipeve të shquar, mes lojtarëve të mëdhenj, por edhe mes atyre që njihet si “të këqinjtë” e futbollit. Përveç dueleve, bukurisë teknike dhe golave, pritet të mos mungojnë as përplasjet e skajshme.

Në një krah janë Luis Suarez e Diego Godin, në anën tjetër Kristiano Ronaldo dhe Pepe, me histori të tilla në ligën spanjolle. Suarez e Pepe kanë pasur konflikte në La Liga, njëri me fanelën e Barcelonës e tjetri me atë të Realit. Goditjet e palejuara kanë ndodhur më shumë se një herë, dhe asnjëri prej tyre nuk mund të pretendojë se është një engjëll. Suarez, gjithsesi, në prag të ndeshjes, dëshiron të flasë vetëm për futbollin.

“E di se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje, – u shpreh ai, – jemi për jetë a vdekje përballë kampionëve të Europës. Jemi totalisht të motivuar, por duhet të jemi të qetë që të japim maksimumin. Personalisht, jam shumë më mirë se në ndeshjen e parë. Unë jam një perfeksionist, analizoj çdo gjë, dhe flas me shokët e me trajnerin”.

Duel i egër edhe ai Diego Godin-Kristiano Ronaldo, tepër i ashpër edhe se zhvillohet në derbin e Madridit. Ronaldo nuk ka përtuar ta godasë mbrojtësin e Atletikos, por edhe uruguajani nuk ia ka falur, dhe ia ka kthyer me të njëjtën monedhë.

Sfidanti.al