Historinë e nisën tifozët, që i bënë kërkesë “djajve të kuq” për ta marrë sërish portugezin në “Old Traford”. Ata nuk donin ta shikonin atë me bluzën e Sitit, madje kishte të tillë që kërcënuan të digjnin fanelën e Ronaldos me numrin 7 që ende e kanë në shtëpi. Më pas foli Uejn Runi, i cili shprehu besimin se Kristiano nuk do të shkonte tek Siti, ndërsa mediat angleze e thumbuan duke i kujtuar se në 2010, ai vetë ishte në bisedime për të kaluar në “Etihad”. Tashmë, në “fushëbetejë” zbret trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjeri. Ish-sulmuesi i Sër Aleks Fergusonit, që luajti bashkë me Ronaldon në “Old Traford”, i bëri një qortim superyllit. “Ne jemi të gjithë profesionistë, – tha norvegjezi, – dakord, por kush luan për Mançester Junajtidin, nuk duhet të luajë për Mançester Sitin”.
Sfidanti.al