Këtë herë lamtumira duket fare pranë. Elseid Hysaj mund t’i japë fund etapës së tij napolitane dhe të largohet fare nga Italia. Mbrojtësi i djathtë besohet se pëlqehet nga shumë klube në Itali, Spanjë dhe Angli. Tabloidi britanik “Dhë San” (The Sun) komenton se Mançester Junajtidi ka kontaktuar Napolin dhe agjentin e Hysajt, Xhufredi, por ka konkurrencë nga Atletikoja e Madridit për mbrojtësin e djathtë.
Po sipas të përditshmes angleze, trajneri Ole Gunar Solskjer e pëlqen shqiptarin për të zëvendësuar veteranin Eshli Jang. Solskjer ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që marrëveshja për Hysajn të përfundojë deri në 1 korrik, ashtu siç duhet bërë edhe për përforcimet e tjera, në mënyrë që ta ketë skuadrën të plotë për fazën përgatitore.
Në Spanjë, për Hysajn ka vlerësim trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone, i cili ka nisur rindërtimin e skuadrës. Po ashtu, ekziston mundësia që Juventusi të kërkojë, tani pas ardhjes së trajnerit Sarri, që e ka pasur shqiptarin tek Empoli dhe Napoli. Vetë Hysaj e ka pohuar synimin për t’u larguar.
“Nuk jam ai lloj njeriu që mund të rrijë gjatë në një klub, – citohet ai, ndërsa ka folur për Supersportin, – për mua, koha ime tek Napoli ka përfunduar, dhe shpresoj që të gjej një skuadër që të më japë atë për të cilën kam nevojë”. Në këtë linjë edhe agjenti i kapitenit të kombëtares shqiptare, Mario Xhufredi. “Për Hysajn është e sigurt që këtë verë do të largohet nga Napoli”, – u shpreh ai.
Mbrojtësi 25-vjeçar luajti rol të rëndësishëm në skuadrën napolitane të Sarrit për dy sezone me radhë, duke u vlerësuar si një nga më të mirët në Serinë A në rolin e tij. Gjithsesi, nën drejtimin e trajnerit të ardhur vjet, Karlo Ançeloti, ai pati më pak hapësirë. Hysaj ka një klauzolë transferimi prej 55 milionë eurosh, ndonëse oferta e Junajtidit, për momentin, mund të jetë deri në 25 milionë.
Sfidanti.al