Pankina e Spanjës tronditet përsëri. Luis Enrike është larguar nga drejtimi i ‘La Rojas’, lajm ky që u konfirmua nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales në një konferencë për shtyp. Trajneri Luis Enrike vendosi që të lërë detyrën e tij për shkak të problemeve të rënda personale që e penguan atë të jetë në pankinën e Spanjës në 3 ndeshjet e fundit të saj, duke ia besuar drejtimin e saj asistentit të tij Robert Moreno.
Do të jetë pikërisht ky i fundit ai që do të vijojë punën e Luis Enrikes në pankinën e përfaqësueses spanjolle. Luis Enrike u caktua në postin e skuadrës kombëtare të Spanjës në 9 korrik të vitit 2018 për të zëvendësuar Fernando Hierron që dha dorëheqjen.
Bilanci i La Rojas në 10 ndeshjet e fundit me Luis Enrike në krye të saj është 8 fitore dhe 2 humbje, me Spanjën që është në vendin e parë në Grupin e saj të kualifikueseve për Euro 2020 me 4 fitore të regjistruara në po kaq ndeshje të zhvilluara.
sfidanti.al