Dueli më i fortë nuk mendohet ai në Stamboll. Turqia, padyshim, është më shumë e motivuar për sfidën e famshme në Paris ndaj Francës, por trajneri Shenol Gynesh, do t’ua bëjë të qartë të besuarve të tij se më e rëndësishme se gjithçka tjetër është Shqipëria. Pikërisht, kundërshtari shumë më modest, që u kalua lehtësisht 2-0 në Shkodër, mban në dorë çelësin e kualifikimit turk për në Euro 2020. Një fitore në shtëpi e bën thuajse të pavlefshme praktikisht ndeshjen e madhe në fushën e kampionëve të botës.
Gynesh shpalli listën e tij ku spikasin emra të njohur, Nuk mungojnë lojtarë të Juventusit, Milanit, Evertonit, Leisterit apo Shalkes, si Demiral, Çalhanoglu, Xhenk Tosun e Ëzan Kabak, ndërsa plot 14 futbollistë luajnë në Superligën turke, në ekipe me traditë ose me financa të forta si Gallatasaraj, Fenerbahçe, Beshiktashi, Bashaksehiri, Rizespori e Trabzonspori.
Turqia është në pozita të forta në grupin H, me 15 pikë në 6 ndeshje, dhe përveç suksesit në “Loro Boriçi” spikat triumfi 2-0 ndaj Francës në stadiumin e Konjës. Me një trajner me shumë përvojë si Shenol Gynesh, turqit janë pretendentë kryesorë për kualifikim në finalet e Europianit 2020, së bashku me Francën, dhe përveç dueleve me shqiptarët e francezët, do të presin Islandën e do të luajnë në fushën e Andorrës.
Sfidanti.al