Tuheli: Puna nuk ka mbaruar, duhet të fitojmë Championsin!

Nuk është shaka të jesh dy vjet rresht në finale. Trajneri i Çelsit pati një konfirmim të zotësisë së tij pas jo më shumë se 3 muajsh pune në “Stemford Brixh”, duke qenë në ndeshjen fundore të Championsit, dhe në zonën Champions në kampionatin anglez. Siç komentonin tifozët apo analistët, “nëse do të na thuhej 2 muaj më parë se Çelsi do arrinte finalen e Championsit, do të ishin shkulur së qeshuri”. Tani, thjesht mund të duartrokasin kryeveprën e trajnerit gjerman, që eleminoi Realin.

“Puna jonë nuk ka përfunduar, – tha ai pas ndeshjes, – ne nuk kemi arritur ende asgjë. Duhet të shkojmë në Stamboll për të fituar finalen. Jam krenar, edhe pse vuajtëm shumë, sepse Reali është ekip i fortë që nuk dorëzohet. Ne nuk e humbëm kurrë urinë për të sulmuar dhe dëshirën për t’u mbrojtur. Ishte paraqitje e madhe dhe mund të kishim shënuar shumë më tepër gola, por ky nuk është momenti për kritika. Përgëzimet më të nxehta për lojtarët e mi”.

Sfidanti.al