Tuhel takon për herë të parë Abramoviçin … pas finales së Championsit!

Detyrën e kishte marrë që në janar, por me pronarin e aksioneve të klubit nuk kishte mundur të piqej sy më sy. Tomas Tuhel kishte pasur të bënte me gruan e plotfuqishme tek Çelsi, “krahun e djathtë” të Abramoviçit, Marina Granovskajën, si dhe me funksionarë të tjerë, por jo me vetë rusin. Abramoviç i ka qendruar larg skuadrës që pas krizës politike dhe diplomatike mes Britanisë së Madhe e Rusisë për helmimin e ish-agjentit, Sergej Skripal në 2018. Gjithsesi, ai nuk i rezistoi dot dëshirës për të ndjekur skuadrën në Porto, në finalen e Championsit, që përfundoi me një fitore të paparashikuar ndaj Mançester Sitit që ishte favorit. Miliarderi rus zbriti në fushë dhe takoi Tuhelin, si dhe lojtarët duke pozuar më pas edhe me kupën. Vetë Tuheli pohoi se kjo ishte hera e parë që ai ishte takuar me Abramoviçin. Fitorja e Championsit nga Çelsi, ashtu si në 2012, erdhi pasi pronari ndryshoi trajnerin, në atë kohë largoi Andre Vijas-Boasin dhe emëroi Roberto Di Kanion, ndërsa tani shkarkoi Frenk Lampardin dhe caktoi gjermanin Tuhel.

Sfidanti.al