Kategorisë Superiore tashmë i ka mbetur shumë pak për të vendosur dhe në këto javë të fundit, ashtu si edhe më parë, gjithçka po luhet në funsion të dashurive dhe urrejtjeve të drejtuesve të klubeve. Por edhe diçka tjetër ka mbetur e pandryshuar, shkarkimet e trajnerëve deri në ditën e fundit. Ndërkohë që njerëzit e pankinave, diku shfaqen si të persekutuar dhe diku gjithmonë në sulm, por në këtë rast vetëm për të synuar vendi e punës së një kolegu tjetër. Të fundit që janë larguar ishin Skënder Gega, kampioni i dikurshëm që mori përsipër misionin e pamundur për të shpëtuar Skënderbeun, por që e la sërish, sapo e kuptoi se nuk kishte çfarë t’i bënte më. Ndërsa pas humbjes me Tiranën, shkodranët ndërprenë marrdhëniet me Elvis Plorin, i cili më parë kishte zëvendësuar Bërdariç, për të sjellë tek Vllaznia Mirel Josën. Ndërkohë që edhe ky i fundit ka provuar të jetë zëvendësues në këtë sezon, madje dy herë, pasi në fillim ka zënë vendin e Vukiçeviç tek Laçi.
Gjatë këtij edicioni vetëm Tirana nuk e ka zëvendësuar trajnerin, ndoshta ngaqë skuadra ka kryesuar kampionatin një sezon të tërë dhe drejtuesit nuk gjetën dot ndonjë arsye të qënësishme për ta bërë, por çuditërisht edhe Gjici i Kukësit. Ky në fakt mund të konsiderohet një rast i çuditshëm, pasi fillimisht Safeti ka thyer rekordin personal të durimit, ndërkohë që trajneri Longo nuk u ngrit asnjëherë në lartësinë e investimit të tij.
Tek skuadrat e tjera, Partizani e ka filluar me Dajën dhe tani po vazhdon me Mehmetin. Gega tek Skënderbeu erdhi pas Memellit. Vllaznia ka pasur Bërdariç, Plorin dhe tani Josën, që do ta drejtojë ekipin edhe në finale e kupës së Shqipërisë, ku përballë do të ketë ish-skuadrën e tij, Laçin. Dinamo ka pasur në stol Shkëmbin, Devollin dhe italianin Vanoli, por askush nuk e shpëtoi dot nga rënia një kategori më poshtë. Tek Egnatia e filloi Magani dhe po e mbyll Ramadani, ndërsa tek Kruja, Dane Ndreu ja la vendin Çelës. Dhe në fund Teuta, që pas Martinit ka në stol Arapin, madje durrsakët këtë rrokadë e bënë dy herë dhe numri i përgjithshëm i trajnerëve të lëvizur pa drejtim, ose në një distinacion tjetër është plot 12. Ndërsa tani që kanë mbetur minutat e fundit, nuk përjashtohet mundësia të kemi edhe ndonjë surprizë tjetër.