Këpuca e Artë 2025 për Balajn, Berat Gjimshiti zgjidhet “Lojtari i Vitit i Kombëtares”

Për të dytin vit radhazi, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”. Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror. Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Fituesi i trofeut “Këpuca e Artë 2025” për djem, për sezonin futbollistik 2024–2025 është Bekim Balaj. Siç dihet, ky trofe nuk kërkon proces votimi, pasi përcaktohet mbi bazën e numrit të golave të shënuar gjatë sezonit. Bekim Balaj ka realizuar 19 gola në këtë edicion, duke u renditur në vendin e parë në listën e golashënuesve. Trofeu iu dorëzua sulmuesit shkodran nga legjenda e futbollit argjentinas, ish-mesfushori Esteban Cambiasso.

Ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar të mbrëmjes gala, edhe këtë vit u nderua me trofeun “Zemra Kuq e Zi” një nga lojtarët e Kombëtares. Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”. Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj. Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares. Në një fjalë të shkurtër, mbrojtësi u shpreh i lumtur dhe krenar që është vlerësuar nga tifozët me këtë trofe.

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit 2025”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin. Të nominuar për të fituar këtë trofe ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, trajneri i Elbasanit, Ivan Gozdenoviç dhe trajneri i Bylisit, Mirel Josa. Në Mbrëmjen Gala që po mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo i dorëzoi trofeun e rëndësishëm, Edlir Tetovës, i cili u shpreh i lumtur që është vlerësuar me këtë çmim për të dytin vit radhazi.

Megi Doçi është fituese e trofeut “Këpuca e Artë 2025” për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025. Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave. Në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, që po zhvillohet mbrëmjen e sotme në TKOB, ky trofe iu dorëzua Doçit nga ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.

sfidanti.al