Titulli nuk e shpëtoi dot Ranierin, ikën trajneri kampion i Anglisë!

Futbolli është si lufta, veçse pa gjak. Fitorja harrohet shpejt, qoftë edhe më e madhja, nëse disfatat fillojnë radhazi. Batuta e Farruk Sejdinit vlen në çdo kohë dhe për çdo vend, me shprehjen “të rrojë Teqeja, pa hoxhallarë ka sa të duash”. Kjo vlen edhe “hoxha” quhet Klaudio Ranieri, ndërsa “Teqeja” është një klub i vogël anglez, të cilin italiani e nxorri kampion të Anglisë për herë të parë në histori, duke krijuar një nga mrekullitë më të mëdha të të gjitha kohëve.

Leiçester vendosi shkarkimin e veteranit të stolit pas humbjes në Sevilje për Ligën e Kampionëve, edhe pse humbja ishte ndër më të padëmshmet e mundshme. “Duhet të marrim parasysh të mirën e klubit, – u detyruan drejtuesit të justifikoheshin dhe të mbroheshin pas vendimit, – e falenderojmë Klaudio Ranierin për gjithçka që ka bërë për ne, dhe do të mbetet gjithnjë pjesë e jona”. Leiçester këtë sezon po lufton për të mos rënë nga kategoria, duke u ndodhur vetëm 1 pikë mbi zonën e ftohtë.

Suksesi në Champions, me kalimin e turit dhe me shpresën ende gjallë për të dalë në çerekfinale, nuk mund ta mbronte italianin. Problemi më i madh është hendeku me lojtarët kryesorë, mes të cilët Xhemi Vardi, shënuesi më i mirë i skuadrës, apo Rijad Mahrez, lojtari më i mirë i Premier Ligës vjet. Nuk dihet nëse kampionia do të mbijetojë, ndoshta këtë mund ta kishte bërë edhe me Ranierin, por për fat të keq futbolli nuk është një shkencë e saktë.

Sfidanti.al