Tronditet Europa League, Bilbao eleminohet nga qipriotët e APOEL-it

Një nga tronditjet më të mëdha të Ligës së Europës ndodhi sot në Qipro. APOEL i Limasolit, ndër ekipet më të mirë të ishullit, shkroi një faqe të lavdishme të historisë së tij duke eleminuar një kundërshtar të madh si Atletik të Bilbaos. Baskët krenarë u detyruan të ktheheshin në shtëpi të mundur 0-2, rezultat që përmbysi fitoren e tre 3-2 të ndeshjes së parë në “San Mamesin” e ri. Piero Sotiriu në minutën e parë të pjesës së dytë dhe Janis Janiotas në të 54-ën me penallti vulosën fatin e përballjes, edhe pse Sotiriu doli me të kuqe në 65’. Në fund, nervat baske nuk mbajtën dhe Iturraspe doli me të kuqe në minutat shtesë.

Edhe një favorit si Zeniti i Shën Petersburgut u detyrua të thoshte “da svidania” nga Europa. As prania e të shquarit të stolit Mirçea Luçesku nuk e shpëtoi dot nga eleminimi ndaj Anderlehtit. Disfata 0-2 e ndeshjes së parë ishte fatale, pavarësisht se rusët bënë një reagim spektakolar në të dytën. Xhuliano, Artiom Xhuba dhe sërish Xhuliano i dhanë epërsinë 3-0 që e kualifikonte, por katastrofa ndodhi fare në fund, kur Isak Telen realizoi për belgët.

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e madhe e Olimpiakosit në Turqi ndaj Osmanlisporit me rezulatin 3-0, pas barazimit pa gola në Pire. Karim Ansarifard, Tarik Eljunusi dhe sërish Karim Ansarifard ishin autorët e golave. Ajaksi eleminoi polakët e Legias me fitoren 1-0 (0-0 në Varshavë), Beshiktashi kaloi ndaj Hapoelit të Ber Shevasë, ndërsa Roma nuk pati problem edhe pse u mund në fushën e saj 0-1 nga Vijarreali. Në Spanjë, kishte fituar 4-0.

Sfidanti.al