Emanuel Ernest është operuar dy ditë më parë në shpatullën e dëmtuar. Lojtari nuk ia doli që të ishte i gatshëm për dy ndeshjet e fundit, ndërsa dëmtimi rezultoi shumë i rëndë. Mjekët vendosën që lojtari nuk mund të riaftësohej me terapi dhe në këto kushte është vendosur që ai të operohet. Ndërhyrja kirurgjikale është bërë në Tiranë dhe ka dalë me sukses, ndërsa lojtari do të qëndrojë jashtë fushave të lojës dhe do të riaftësohet për dy muaj. Sulmuesi kishte probleme te klavikula e shpatullës, të cilën e dëmtoi në derbi. Në këto kushte, mjekët vendosën për operacion. Ernest do të jetë gati vetëm për sezonin e ri. Ai e ka mbyllur çështjen e aktivizimit në Superiore për këtë vit. Për Tiranën kjo është humbje e madhe, pasi Ernest është lojtari kryesor i sulmit dhe kjo u pa edhe në takimin me Skënderbeun, sidomos në pjesën e parë. Veç Emanuelit, janë edhe katër të tjerë që kanë mbyllur kampionatin te Tirana. Fatmir Prengaj nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bledi Shkëmbi për dy ndeshjet e mbetura të kampionatit. Futbollisti u dëmtua ditën e shtunë në sfidën me Skënderbeun dhe doli nga loja para kohe, ndonëse ishte aktivizuar si zëvendësues. Nga ekzaminimet që janë bërë prej mjekëve të ekipit, rezulton se lojtari ka dëmtuar ligamentet dhe nuk do të ketë mundësi të riaftësohet në kohë për ndeshjet e mbetura të Superiores. Jo vetëm kaq, por futbollisti do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik. Prengaj është lojtari i radhës, i cili i shtohet listës së gjatë të futbollistëve të dëmtuar te KF Tirana. Nga ana tjetër, edhe Ermal Meta dhe Qëndrim Ismajli nuk janë me skuadrën. Ata vazhdojnë riaftësimin dhe zor se do të jenë gati për këtë kampionat. Abah nga ana tjetër nuk luan prej shumë kohësh, pasi është dëmtuar në gju. Prengaj ishte lojtari i pestë që mbylli sezonin futbollistik, si dhe sulmuesi i dytë që nuk do të jetë në dispozicion të Bledi Shkëmbit.
sfidanti.al