Nga “San Siro”, ëndrra e Inter për të fituar “tripletën” e famshme filloi të merrte formë, tani i gjithë populli zikaltër beson realisht se ky ekip mund të rishkruajë historinë. Pa diskutim që emblema e këtij ekipi, imazhi kryesor, është Lautaro Martinez, me “demin” që po kalon një formë shumë të mirë këtë periudhë. Ndaj Bayern Munich, Martinez realizoi golin e tij të 21-të sezonal, gjithashtu u shndërrua në lojtarin e parë të huaj që kap kuotën e 150 golave. Lautaro nuk e ka harruar ende finalen e humbur në Stamboll, shpreson që të ketë sërish shansin të përjetojë një finale në Champions League, i vetëdijshëm se kjo do t’i jepte një bonus të madh për të fituar edhe “Topin e Artë”, një trofe që gjithashtu argjentinasi e lakmon shumë. Për të shkuar deri në atë pikë, Inter dhe Martinez duhet të kalojnë fillimisht Barcelonën, rivalin e tyre në fazën gjysmëfinale. Sipas mediave të huaja, gara këtë sezon për “Topin e Artë” pritet të zhvillohet ndërmjet Martinez dhe Yamal, në një kohë kur të gjithë lojtarët e tjerë “big” si Vinicius, Bellingham, Mbappe, Haaland etj, jashtë Champions League. Diferencën në këtë pikë, mes Martinez dhe Yamal pritet ta bëjë pikërisht Champions League, për këtë arsye sfida Inter-Barcelona është edhe një sfidë Martinez-Yamal.
sfidanti.al