Tifozët e Partizanit ndihen të tradhëtuar nga FSHF dhe … Starova!

Plotësisht të pakënaqur. Tifozët e Partizanit janë lëshuar me sulme nga të gjitha anët, me të përfunduar pa sukses ndeshja në Vlorë. Pasi trajneri Starova akuzoi faktorë të jashtëm për mos fitimin e titullit, disa nga mbështetësit e kuq, akuzuan pikërisht atë.

“Merr një guerrils dhe fute në fushë, dhe jep më shumë se ndonjë lojtar”, ishin fjalët e njërit prej tyre. Një tifoz tjetër kërkon largimin e trajnerit nga Partizani. Komenti i radhës ishte sërish kundër mënyrës sesi luajti skuadra, duke thënë se Partizani e humbi vetë kampionatin, me lojrat që bëri.

Gjithsesi, statuset nuk ishin vetëm kundër trajnerit apo ekipit. Tifozët shkruajtën se titulli është përcaktuar për Kukësin, ndërsa presidenti kuksian pret të bëhet deputet.

Klubi, gjithashtu ka qenë aktiv. Në faqen zyrtare në rrjetet sociale, është publikuar fotoja e sulmuesit Ekuban kapur nga fanela prej një mbrojtës vlonjat në zonën e rreptësisë, me komentin: Ku shkon o Ekubano! Titulli nuk është i juaji!

Më i përmbajtur grupimi i tifozëve, “Ultras Guerrils”, të cilët e kanë zemërimin vetëm me zyrtarët, pra me Federatën. Ultrasit mendojnë se futbollin shqiptar e kanë mbuluar llumi, gënjeshtrat dhe trukimet, dhe se të vetmit bukuri janë pikërisht stema dhe emri i Partizanit.

Sfidanti.al