Urdhër i Kim Jongut: Të krijohet një Lionel Mesi i ri!

Diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong, e do shumë futbollin dhe, tani, ai ka vendosur që vendi i tij të avancojë edhe në këtë fushë sporti. Kështu, Kim Jongu ka shprehur dëshirën që Koreja e Veriut të krijojë një futbollist që të jetë më i miri në botë, ndërsa ka premtuar një mbështetje të madhe për futbollistët e rinj, me qëllim që ndonjëri prej tyre jo vetëm që ta arrijë, por të bëhet edhe më i mirë edhe sesa Lionel Mesi! “Ne do t’i stërvisim fort futbollistët tanë të rinj që të krijojmë një Mesi të ri, kjo është detyra jonë. Tani për tani, synimi ynë është që të vendosim, në një të ardhme të afërt, dominimin tonë në Azi, kurse më vonë edhe… në botë!”, thotë plot ambicie Ri Ju He, trajneri i shkollës së futbollistëve të rinj të Phenianit.

Koreja e Veriut, momentalisht, ndodhet në vendin e 126-të në ranglistën e FIFA-s, por synimi i Kimit është që ajo të bëhet më e mira në Azi. Duke pasur parasysh konkurrimin e fortë që vjen nga Koreja e Jugut, Japonia dhe ekipet e tjerë përfaqësues të këtij kontinenti, detyra që i kanë vëvë vetes koreanoveriorët, duket e vështirë. Futbollisti më i njohur i Koresë së Veriut që ka luajtur në Evropë, është Jong Tae Se që, dikur, ka qenë pjesë e Bohumit gjerman, ndërkohë që suksesi më i madh i saj është pjesëmarrja në Botërorin e 2010-tës, pa harruar se përfaqësuesja e këtij vendi aziatik, në vitin e largët 1966, ka luajtur në çerekfinale të Botërorit të atij viti.

Sfidanti.al