Tifozët anglezë nuk lejohen në Romë, Euro 2020 “infekton” edhe Skocinë!

Kampionati është në kulmin e tij dhe njerëzit janë të lumtur, por priten edhe pasoja. Epidemia e koronavirusit nuk ka qenë asnjëherë tepër larg, dhe sidomos kjo ndihet në Britaninë e Madhe, aty ku janë zhvilluar shumë ndeshje në Euro 2020. Besohet se rreth 2 000 tifozë janë infektuar pasi kanë qenë në Londër, në ndeshjen që Skocia luajti në “Uembli” me Anglinë në fazën e grupeve në Euro 2020. Autoritetet shëndetësore në Skoci njoftuan se pati 3 887 raste të reja ditore, një rekord i vërtetë që kur nisi pandemia.

Edhe në Angli ekziston frika se kjo do të ketë ndikim në nivelin e infektueshmërisë në vend, pasi qindra mijë tifozë kanë festuar që kur nisi Europiani pa respektuar kufizimet për koronavirusin. Që tani, shifrat ditore kanë arritur në 14 000 raste të reja. Mediat britanike shkruajnë se ka një shqetësim në kontinent lidhur me shkallën e infektimeve në Angli, dhe se tifozët anglezë nuk do të lejohen në Romë kur ekipi i tyre kombëtar do të luajë ndaj Ukrainës në çerekfinale të Europianit.

Autoritetet rajonale në krahinën e Lacios kanë deklaruar se nuk do të pranojnë tifozë nga Anglia, ndërsa rregullat janë që kushdo që shkon në Itali nga Britania, duhet të izolohet për 5 ditë. Nëse këto rregulla shkelen, atëherë ka gjoba prej 2 500 eurosh. Federata Angleze po punon me UEFA-n për t’ia shitur 2 500 biletat vetëm britanikëve që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë që ekipi i “tre luanëve” të ketë mbështetje në stadiumin “Olimpiko” të Romës.

Sfidanti.al