Nëse drejtuesit e futbollit shqiptar këmbëngulën që kampionati të fillonte, sigurisht që e kishin si gjithmonë një arsye të madhe, por vetëm që nuk është shumë sportive. Tek ne nuk ishin përcaktuar ende verdiktet e sezonit dhe nëse do të bëhej si Franca, apo Holanda, ku u fotografuan klasifikimet në momentin e ndërprerjes, mund të kishim surpriza, një element që në futbollin tonë nuk është i adhurueshëm. Këtu, si në fillim të çdo edicioni, dikush harton një kalendar sipas të cilit do të zhvillohet aktiviteti, ndërsa dikush tjetër klasifikimin përfundimtar… dhe për këtë arsye të thjeshtë, aktorët e fushës duhet të luajnë deri në fund.
Dhe kështu që pas karantinës, veç futbollistëve me këmbë të rënduara, lëshuan nëpër fusha edhe arbitrat, të cilët në periudha të tilla nuk kanë më limite. Ndërsa ne kuptuam menjëherë, se Lushnja nuk do të vijë në Kategorinë Superiore, ose të paktën jo tani shpejt, qoftë edhe për faktin se në Asamblenë e fundit patën paturpësinë të votonin kundër udhëheqjes. Tani sheh skuadra që janë përpëlitur as shumë prej muajsh, saqë nuk të jepnin asnjë shpresë se do të mbijetonin, por që në stadiumet e boshatisura t’i mbushin rrjetat plot me gola, sikur pandeminë ta kenë shfrytëzuar për t’u bërë kampionë. Ndërsa arbitrat as që presin për të parë fillimisht rrjedhën e lojës, madje nuk u bëhet më vonë edhe për personalitetin e tyre, por mundohen ta zbatojnë urdhërin që kanë marrë sa më shpejtë, duke u bërë javë pas jave personazhe të së njëjtës komedie të zezë.
Dhe më e dhimbshmja është, se njerëzit me bilbil, apo flamur, pikërisht tani nuk mund t’i ndash më për nga cilësia, as sipas rëndësisë së stemës që mbajnë në gjoks, pasi të gjithë duken si të kurdisur nga e njëjta dorë. Në ndeshjen Skënderbeu – Bylisi shpikën edhe VAR, duke anuluar një penallti absurde, po pa iu referuar pamjeve, por telefonit. Dikush i tha që u nxitove dhe Jorgji e humbi fare busullën, duke sajuar një rrëmujë qesharake. Ja pra pse u përshtatën protokolle siguria të importuara nga Gjermania për rifillimin dhe u ndez një luftë e ashpër me qeverinë, pikërisht për këtë futboll që na ishte ndërprerë, por që nuk përkonte 100% me verdiktet e hartuara në fillim të sezonit.