Suarez i tërheq veshin Bartomeut: Bëj atë që duhet dhe Mesi qendron!

Është i dëmtuar dhe thotë se rrezikoi shumë pasi i duhej ekipit. Luis Suarez do kohë që të kthehet në fushë, por sulmuesi uruguajan është nga ata që vlen edhe kur nuk luan. Në një intervistë në mediat spanjolle, ai i bëri një kritikë të drejtpërdrejtë klubit, edhe pse jo me emra. “Nëse klubi bën atë që duhet, Mesi qendron tek Barcelona për gjithë jetën, – thotë ai, – shpresoj që Leo të mos largohet”. Pra, edhe shoku më i mirë i argjentinasit e shpreh hapur mundësinë që kapiteni të ndërrojë ekip, diçka që nuk imagjinohej pak kohë më parë.

Suarez hodhi poshtë zërat se tek Barcelona janë lojtarët që marrin vendimet, duke theksuar se gjithnjë i kanë marrë drejtuesit. Ai vlerësoi sulmuesin e ri të ardhur nga Leganjesit, Martin Breithuejt, ndërsa shtoi se Lautaro Martinez i Interit ka cilësi shumë të mira, dhe padyshim do ta ndihmonte Barcelonën nëse do të vinte në “Kamp Nou”. Në prag të “El Klasikos”, numri 9 thotë se nuk dihet se cila prej skuadrave vjen në gjendje më të mirë, vlerëson se për Realin ky derbi është mënyra më e mirë për të reaguar, dhe shton se nëse Barcelona fiton, jep një goditje për titullin, por jo përfundimtare.

Sfidanti.al