Për trajnerin gjithçka ishte e merituar. Pavarësisht gabimeve nga më të ndryshmit, sërish titulli kampion në Serinë A duket se i shkon më shumë Milanit sesa Interit. Kështu mendon trajneri Stefano Pioli. “Mendoj se patëm më shumë vazhdimësi sesa Interi, – thotë ai, – lojtarët e mi janë fenomenë. Ia dedikoj titullit babait tim, që nuk e kam më. Kudo që të jetë, do të jetë i lumtur”. Ky titull ishte suksesi i parë në karrierë për Piolin, në moshën jo edhe aq të re 56-vjeçare, por është meritë e madhe e tij, në një ekip pa kampionë të mëdhenj dhe të gatshëm.
Edhe legjenda Paolo Maldini është tepër i lumtur duke shtuar titujt e fituar, ndonëse tani në një pozicion tjetër. Pasi arriti suksese tepër të mëdha si mbrojtës, që në 1985 e deri kur e la futbollin në 2009 (7 tituj, 5 Champions), e provoi Serinë A edhe si drejtor sportiv. “Unë jam drejtor vetëm falë Milanit, – tha ai, – jam shumë krenar për ekipin. Kam bërë edhe gabime dhe duhet të mësoj ende shumë. Këta 3 vjet i kemi dhënë shumë këshilla lojtarëve dhe fjalët tona dolën të drejta”.
Sfidanti.al