Spanja, hakmarrje ndaj Italisë dhe finale e Ligës së Europës

Po kthehet sërish skuadra e madhe e “Furive të Kuqe”. Nëse një ditë më parë, mediat italiane shkruanin se kishin kaluar kohët kur Të Kaltrit e kishin makth Spanjën, mbrëmja e sotme në “San Siro” konfirmoi të kundërtën, ose më mirë rikonfirmoi atë që u pa në Europian, që iberikët janë më të mirë si ekip sesa ai i Roberto Mançinit. Të paktën flasim për ndeshjet direkte, pasi Italia kishte një numër tepër të madh ndeshjesh pa humbur deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Spanja fitoi 2-1 me meritë, duke luajtur me një lojtar më shumë që nga 42’ kur Bonuçi doli me të kuqe.

Ferran Torres, sulmuesi i ri i Mançester Sitit, shënoi dy golat në pjesën e parë, në minutat 17 e 45, ndërsa italianët patën disa mundësi kur ndeshja ishte në 0-1, pasi Insinje humbi rast të pastër dhe Bernardeski goditi shtyllën. Bonuçi mori dy të verdha, të dytën për prekje të topit me dorë, dhe u përjashtua me të drejtë. Spanja pati zotërimin e topit 68 për qind, duke zotëruar ndeshjen edhe në Itali, dhe kornet ishin 5-1, por vendasit u mbrojtën me aq sa mundën duke pakësuar dëmet. Në të vërtetë, spanjollët patën gati dyfishin e gjuajtjeve (13 me 8), por më pak gjuajtje përfunduan në kuadrat, 4 të iberikëve ndaj 5 të të kaltërve.

Itali-Spanjë 1-2 (Ferran Torres 17’, 45’, Pelegrini 83’

Italia: Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Bastoni, Emerson, Barela (Kalabria 72’), Jorginjo (Pelegrini 64’), Verrati (Lokateli 59’), Kieza, Bernardeski (Kielini 46’), Insinje (Kean 58’). Tr. Mançini.

Spanja: Simon, Azpilikueta, Laporte, Pau Torres, Alonso, Koke (Merino 75’), Buskets, Gavi (Sergi Roberto 84’), Sarabia (Gil 75’), Ferran Torres (Santos 49’), Ojarzabal. Tr. Luis Enrike.

Sfidanti.al