Kjo Spanjë është një “mbretëreshë” e re e topit, sa shumë talent dhe rini!

“Furitë e Kuqe” të trajnerit Luis Enrike ende nuk kanë fituar asgjë, por mënyra sesi kanë nisur të luajnë po bën që gjithë Europa të dashurohet me ta. Një ekip me moshë të re dhe me talent arriti gjysmëfinalen e Europianit, nga ku u eleminua pa të drejtë nga Itali, ndërsa tani doli në finalen e Ligës së Kombeve. Ekipi është vërtet i ri.

Portieri Unai Simon është vetëm 24 vjeç, një moshë tepër e re për një njeri mes shtyllave. Mbrojtësi i Vijarrealit, Pau Torres, është po ashtu 24, Erik Garsia i Barcelonës ka 20 vite mbi supe, Regijon është 24, Rodri, Fornals e Merino që të tre nga 25 vjeç, ndërsa portieri tjetër Robert Sançez ka 23 “pranvera”. Dani Olmo, ndërkaq, lojtar i Lajpcigut, është 23 vjeç dhe Brahim Diaz i Milanit ka 22.

Jo vetëm kaq, por ekipi ka disa lojtarë shumë të talentuar dhe shumë të rinj si Pedri 18-vjeçar i Barcelonës (aktualisht i dëmtuar), ashtu si Ansu Fati po i Barcelonës, 17-vjeçar dhe i sapokthyer nga dëmtimi. Gavi, një nga më të mirët në “San Siro” ndaj Italisë në Ligën e Kombeve, është vetëm 17 vjeç, Brajan Gil (apo Hil, siç e thonë spanjollët) është 20 vjeç, Jeremi Pino është 18, sulmuesi i Mançester Sitit, Ferran Torres vetëm 21, ndërsa Ojarzabal i Sociedadit ka mbushur 24.

Të vetmit futbollistë me përvojë në këtë Spanjë të Luis Enrikes janë portieri De Gea (30 vjeç), Azpilikueta (32), Injigo Martinez (30), Markos Alonso (30), Laporte (27), Sergi Roberto (29), Buskets (33) apo Sarabia (29 vjeç). Morata e Gerard Moreno, që këtë herë nuk ishin, kanë nga 29 vjeç dhe gjithashtu kanë përvojë.

Sfidanti.al