Analistët në ishujt britanikë kanë nisur të mprehin lapsat dhe të hedhin të zezën mbi të bardhë. Nga hiperbolizimet me mbërritjen e Kristiano Ronaldos në “Old Traford”, pas atyre të Varanit e Sanços, dhe pas lavdërimeve se Mançester Junajtidi duhet të quhej pretendent i fortë për titull, tani muzika ka ndërruar. “Euforia për Kristianon po ia lë vendit ftohtësisë së realitetit të hidhur”, është një koment, ndërsa një analist thotë se “trajneri Solskjer ka treguar se nuk ka një mënyrë loje të qendrueshme nga ndeshja në ndeshje”. Man. Junajtidi humbi sërish pikë në Premier Ligë, ndërsa kishte humbur në Zvicër ndeshjen e parë në Champions, dhe ishte shpëtuar në sekondat e fundit nga Ronaldo, gjithashtu në Champions ndaj Vijarrealit. Kritikat ishin të mëdha pas barazimit 1-1 me Evertonin në “Old Traford” sepse Solskjeri e la Ronaldon në stol. “Mendoj se ishte vendimi i duhur, – tha ai, – lojtarët kanë pasur ngarkesë të madhe. Duhet të luajnë edhe të tjerët. Zhgënjimi vjen nga rezultati, por unë matem shumë kur marr një vendim”.
Sfidanti.al