Edhe një gjë e tillë kishte kohë që nuk kishte ndodhur në Maqedoni, por ajo që ndodhi dhe kujt, pikërishtnjë prej futbollistëve më të mirë të përfaqësueses së Maqedonisë, Ezgjan Alioski, që luan me Lids Junajtidin në Angli.
Xhani, sikurse i thonë shkurt Ezgjanit, shqiptar nga Prilepi, kishte shkuar, me rastin e pushimeve, te prindërit në qytetin e tij të lindjes (Prilep). Pardje, Xhani me familjen e vet dhe disa miq shkuan të darkonin në restorantin “La Strada” me pronar maqedonas sllav. I gjithë grupi i njerëzve hyri në restorant, duke folur shqip, por shpejt atyre iu afrua një kamerier që u tha se të gjitha tavolinat ishin të rezervuara, ndërkohë që aty kishte tavolina të lira.
Kjo ngjarje mori dhenë, pra dimensione shumë të mëdha, saqë për të, veç të tjerëve, u prononcua edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe federata maqedonase e futbollit që e dënuan ashpër këtë akt nacionalist të sëmurë.
Një nga pronarët e lokalit në fjalë, Oliver Nikoloski, u përpoq që të justifikohej se Alioskit dhe njerëzve të tij nuk u ishte kërkuar që të dilnin jashtë, por se ishin “lutur” të ndërronin tavolinën, por pakkush e besoi këtë justifikim qesharak, aq më pak vetë Xhani Alioski që, sidoqoftë, tregoi zemërgjerësinë e tij të madhe, duke iu bashkuar një aksioni humanitar në favor të një fëmije të sëmurë në Prilep.
Sfidanti.al