Mesi dhe Argjentina nisin të shkruajnë “nekrologjinë” në Brazil

Dikur, në fund të viteve 80-të apo fillim të 90-ës, ish-presidenti i FIAT-it, Xhani Anjeli, thoshte se “nuk e di sesi do të ndodhë, do të fitojë një titull më parë Ferrari, apo një kampionat Juventusi”. Avokati i famshëm me të drejtë ishte i shqetësuar pasi Ferrari kishte dalë kampion për pilotët për herë të fundit në 1979, ndërsa Juventusi e kishte fituar titullin e fundit në 1986.

Njëlloj të shqetësuar janë sot tifozët e Argjentinës, sidomos kur ndoqën edhe humbjen e merituar të kombëtares së tyre në Kupën e Amerikës së Jugut ndaj Kolumbisë. Edhe pse në fushë, me shiritin e kapitenit, ishte “çudibërësi” Lionel Mesi, sërish argjentinasit u mundën 0-2, ndërsa nuk hynë dot në zonën e rreptësisë kundërshtarë gjatë 45 minutave të para. Rozher Martinez dhe Duvan Zapata shënuan golat për kolumbianët pas pushimit.

Tifozët ndoshta pyesin, nëse më parë do të kthehen të luajnë Kempes e Maradona, sesa Argjentina e Mesit do të fitojë një trofe. Superylli i Barcelonës nuk ka mundur të fitojë asgjë me kombëtaren e të rriturve, ndërsa ia ka dalë të shpallet kampion bote vetëm me Argjentinën U20 dhe kampion olimpik me Argjentinën U23. Ai ka dështuar në Kupën e Amerikës, duke humbur tre finale, në 2007, 2015 e 2016, ndërsa në Kupën e Botës humbi finalen në 2014.

Sfidanti.al