Në fillim u mendua një ndeshje e lehtë, pastaj u gjykua se po ndodhte diçka e çuditshme (që nuk do të arrihej fitorja), veçse në fund shifrat ishin 4-1 në favor! i tillë Mançester Siti i Guardiolës që kaloi çdo vështirësi duke merituar plotësisht fitoren ndaj Uolvesit në Premier Ligë. Kryesuesit kanë tani 15 pikë më shumë sesa Mançester Junajtidi që është në vendin e dytë, ndërsa këtë të diel do të jetë përballja në “Etihad”. “Zakonisht ne kemi pasur rezultate më të mira me Junajtidin në “Old Traford” sesa këtu, – tha Guardiola, – do të pushojmë nja dy ditë. Unë e di sesa i fortë është Junajtidi, por kemi një mundësi të madhe për të hedhur një hap vendimtar dhe ne do ta provojmë”.
Leander Dendonker shkaktoi autogol në 15’, por Uolvesi nuk u dorëzua, edhe pse Siti u tregua shumë superior. Konor Koudi barazoi papritur në 61’ dhe u duk se “qytetarët” do ta hidhnin hapin e gabuar më në fund. Nuk qe e thënë, ndërsa skuadra e Guardiolës u duk si një “traktor” që nuk di të ndalet dhe as nuk pyet për goditjet. Gabriel Zhezus shënoi në 80’ për 2-1 dhe pastaj nisi masakra. Rijad Mahrez në 90’ dhe sërish Gabriel Zhezus (90’+5) vulosën shifrat 4-1. Siti ka 65 pikë, 15 më shumë sesa Junajtidi i vendit të dytë (që ka një ndeshje më pak), ndërsa ka arritur në 56 gola, ende pak për standardet e tij, por që mjafton për të qenë “artileria” më e mirë e Premier Ligës.
Sfidanti.al