Siti i Guardiolës synon titullin, por mund të thyejë edhe rekordet

Kurrë Premier Liga angleze nuk ka pasur fillim më të mirë sesa ky. Të paktën që nga versioni i saj modern që nisi në 1992. As Mançester Junajtid i Sër Aleks Fergusonit, as Çelsi i Murinjos dhe as Arsenali i Vengerit nuk ia kanë dalë sa Mançester Siti i Pep Guardiolës, pas 13 ndeshjeve të para. Suksesi 2-1, tepër i vështirë, në fushën e Hadërsfildit bëri që “Qytetarët” të kenë 12 fitore e vetëm 1 barazim, pasi për humbje nuk bëhet fjalë.

Ndaj një ekipi modest, të paktën në letër, si Hadërsfildi, Siti ishte superior, por jo vetvetja dhe shqetësimi ishte i madh për Guardiolën kur Otamendi shkaktoi autogol. Sergio Aguero barazoi me penallti (Venger besoj se këtë herë do të thotë se ishte penallti, ngacmoi Pepi), ndërsa një gol me fat i Rahim Stërlingut i dha fitoren kryesuesve. Në përfundim, vetë trajneri katalanas u bashkua me lojtarët dhe shkuan të gjithë tek tifozët për të festuar një fitore që mund të vlejë shumë në fund.

Siti ka 37 pikë ndaj 29 të Mançester Junajtidit, por duhej ruajtur diferenca pasi në 10 dhjetor derbi do të luhet në “Old Traford”. Titulli është ende larg, por me këtë ritëm duket më pranë, ashtu si edhe rekordet. Me 37 pikë në 13 takime, Man. Siti i ka mundësitë të thyejë rekordin e Çelsit të Murinjos që fitoi titullin me 95 pikë në 2006. Me 42 gola të shënuar, janë të gjitha gjasat që të thyhet rekordi tjetër i Çelsit, ai i ekipit të Ançelotit që realizoi 103 rrjeta në 2010.

Ashtu si tek Barcelona, Guardiola po gjen “prekjen magjike” të tij. Merita më e madhe është se nuk ka një Lionel Mesi, edhe pse skuadra është e përbërë nga shumë “xhevahirë” të shtrenjtë si Bravo, Aguero, Stouns, De Brujn apo Gabriel Zhezus.

Sfidanti.al