Fitorja ishte shumë e vështirë, dhe e tillë duhej të ishte për një ekip pa trajner, dhe me paqartësi për të ardhmen. Bajerni i Mynihut, gjithsesi, tregoi përvojën dhe karakterin e një skuadre të madhe duke kaluar me zor të madh Olimpiakosin e Pireut në “Alianc Arena”, e duke siguruar kualifikimin. Një lajm i mirë atëherë kur duhej më shumë.
Me Niko Kovaçin e shkarkuar, që ndoshta po e shihte ndeshjen në shtëpi në TV, bavarezët u drejtuan nga Hans Flik, por më shumë se personaliteti i tyre, duke këmbëngulur, ndonëse shënuan vonë. Robert Levandovski vazhdoi serinë e tij të madhe të sezonit (21 gola në 17 ndeshje), duke realizuar në minutën e 69-të, ndërsa i huazuari nga Interi, Ivan Perishiç, shtoi golin e dytë. Me shaka mund të thuhet se Flik kishte gjetur formulën e suksesit, duke lënë në stol Kutinjon, e duke hedhur titullar Tomas Mylerin. Braziliani vazhdon të mos bindë e ndodhet në krizë, pak a shumë si tek Barcelona, dhe me siguri është penduar shumë që u largua nga Liverpuli i Jurgen Klopit.
Sfidanti.al