Pep, nuk ishte kjo “nxemja” më e mirë për të dielën në Liverpul!

Me portierin kryesor të dëmtuar, me portierin e dytë të përjashtuar me të kuq, e me një mbrojtës me doreza veshur. Në përfundim, i detyruar të kënaqet me barazimin 1-1 në një ndeshje që mund ta kishte humbur në fushën e Atalantës, ja pra kështu doli Pep Guardiola nga stadiumi “San Siro”. Asnjë problem për renditjen në Champions, pasi Mançester Siti mbeti në vend të parë dhe i shkëputur me 10 pikë (3 fitore, 1 barazim), por shqetësimi është i madh sepse të dielën luhet “finalja” e Premier Ligës në “Anfild” ndaj Liverpulit.

Gjithçka duket e habitshme, sidomos për ata që panë pjesën e parë dhe jo të dytën, pasi Siti ishte më lart për 45 minuta, shënoi me anë të Rahim Stërlingut, dhe pati mundësi të dyfishonte kur Gabriel Zhezus gjuajti një penallti, pak para pushimit. Ai gaboi, ndërsa në pjesën e dytë, Atalanta ishte më lart, e frymëzuar nga trajneri Gasperini, dhe me Berat Gjimshitin titullar dhe në fushë për 90 minuta. Shqetësimi më i madh për Guardiolën është dëmtimi i portierit Ederson, që nuk dihet nëse do të jetë gati për të dielën. Po ashtu, aspekti moral dhe fizik i lojtarëve të tij, që janë sforcuar shumë së fundmi.

Sfidanti.al