Juventusi kualifikohet edhe kur nuk shënon Ronaldo

Dihej se në Moskë do të ishte e vështirë (por, më pak sesa në kohën e Napoleonit), dhe se Kristiano Ronaldo nuk mund të jetë “bombardieri i kombit”. Me portugezin 34-vjeçar që nuk vrapon dot si më parë, i takoi të tjerëve për të “tërhequr karrocën” dhe ata e bënë. Juventusi fitoi 2-1 ndaj Lokomotivës, ish-ekipit të hekurudhave sovjetike, duke prerë biletën për në raundin e dytë të Championsit.

Leonardo Bonuçi dhe Dagllas Kosta ishin autorët e golave, me brazilianin që hyri si zëvendësues në 70’, dhe realizoi në sekondat shtesë. Rusët barazuan me anë të Mirançukut që në pjesën e parë, dhe pas pushimit ushtruan presion ndaj skuadrës së famshme italiane, dhe u desh mrekullia e Bonuçit për të mos i lejuar golin e dytë. Një provë e rëndësishme për ekipin e Mauricio Sarrit, që ende nuk po shfaqet aty ku duhet, por që ka një organikë të madhe. Imagjinoni, De Ligt ishte i dëmtuar, Kielini është jashtë prej kohësh, ndërsa në stol ishin Matyidi, Demiral, Bufon, Dagllas Kosta, Dibala e Betankur. Juventusi ka 10 pikë dhe është i shkëputur përfundimisht nga Lokomotiva dhe Leverkuseni.

Sfidanti.al