Golat e Muçit dhe Laçit por edhe paraqitja e mirë e Balliut sigurisht që janë sinjale pozitive për Shqipërinë dhe trajnerin Sylvinho por edhe “dhimbje koke” për brazilianin e stolit kuqezi. Tani që edhe linjat e dyta bindën dhe e bënë këtë duke e shtyrë Bullgarinë deri në limitete e zonës së rreptësisë. Ekuacioni bëhet më i vështirë edhe pse tekniku ka treguar që ndryshimet në formacion nuk i ka “ves”.
Tre lojtarët në fjalë duhet të shpresojnë në një mrekulli ose në rastin më të keq në dëmtimin e rivalëve në këto reparte por ai që mund të ketë lenë shenjën më të madhe është Ivan Balliu. Në të djathtën, mbrojtësi i Rayo Vallecano dhuroi një paraqitje shumë pozitive, ndoshta edhe eklipsuese ndaj atyre të Hysajt që momentalisht është titullari fiks. Edhe në mesfushë Laçi mund të kërkojë një shans por në pozicionin e tij Bajrami po bën mjaft mirë ndërsa Muçi në sulm duhet të kalojë disa emra e më pas të hedhë kandidaturën. Ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe mund të jenë stacioni i fundit eleminator për tre emrat premtues të skuadrës kuqezi.
sfidanti.al