S’mbahet Kombëtarja!  Nga ferri në parajsë me ..biletat

Po mësohemi kaq shumë me fitoret, sa kemi “harruar” humbjet ! Nuk po ndalet Kombëtarja e Silvinjos, edhe kur trafiku i futbollistëve të formacionit me ata të stolit, trazohet ndjeshëm.  Kjo ndeshja miqësore me Bullgarinë , do të kujtohet edhe për “magjinë” që ndodhi me praninë e tifozëve në “Air Albania”. Tamam si në një numër cirku nga ato të iluzionistëve të famshëm,  nuk mund t’i besoje syve se ku ishin “fshehur” gjithë ata tifozë që tejmbushën stadiumin në pjesën e dytë!

Befason ekipi i Silvinjos në fushë, befason edhe “ekipi” që merret me biletat e Kombëtares ! Para ndeshjes me Bullgarinë, në qarkullim doli një thirrje “patriotike” se  tifozët e vërtetë .. tani duhet të vijnë! Pra, publikisht, pranohej se tifozët me Çekinë nuk ishin të vërtetët se nuk ishin bio, por  ata që vijnë për ditë Shënlleshi!

Lind pyetja : po me Bullgarinë , sidomos në pjesën e dytë, kur “gota u mbush” plotë, ishin të vërtetë tifozët? Si maten karatët e tifozëve, kur në ndeshjen me Çekinë e blenë biletat disafish më shumë nga vlera, kurse në ndeshjen me Bullgarinë , po të kaloje pranë stadiumit, të kapnin prej dore  e  të qerasnin falas me një ndeshje të Kombëtares…

Sfidanti.al