Blerim Xhemaili ishte heroi i ditës në Serinë A, pasi shqiptari i Zvicrës shënoi dy herë. Me fanelën e Bolonjës, djali me origjinë nga zonat shqiptare të Maqedonisë, ndihmoi ekipin e tij që të triumfonte 4-1 ndaj Kievo, në stadiumin “Dal’Ara” dhe të mbante një renditje të qetë. Edhe pse Kastro kaloi veronezët në epërsi, skuadra e trajnerit Donadoni realizoi radhazi me anë të Verdit, Xhemailit, sërish Xhemailit dhe pastaj Di Françeskos.
Juventusi ishte ekipi i javës, jo për shkëlqimin e fitores, por për faktin se vazhdoi sukseset dhe hodhi një tjetër hap drejt titullit. Huan Kuadrado shënoi që në minutën e 7-të në Gjenovë ndaj Sampdorias dhe Juve u ngjit në kuotën e 73 pikëve në krye të kampionatit. Gjithsesi, kampionët patën një shqetësim të fortë në stadiumin “Marasi”, pasi Paulo Dibala pësoi një dëmtim dhe doli shpejt nga fusha. Pritet të bëhen vizitat mjekësore dhe të mësohet shkalla e dëmtimit, ndërsa tifozët juventinë shpresojnë që të mos jetë gjë e rëndë sepse afron sfida ndaj Barcelonës në Champions.
Sfidanti.al