Njeriu me tri “G” mban titujt, por “Njeriu i Mrekullive” thuajse e mundi!

Kampioni absolut i peshave të mesme mbeti po ai, njeriu i njohur me tri shkronjat “G”, veçse në Arenën më të famshme të botës do të mbahet mend gjatë ajo që ndodhi. Genadi Genadieviç Golovkin, GGG, mundi pas 12 raundeve “Njeriun e Mrekullive” Daniel Xhejkobs, në një nga ndeshjet më të forta të historisë në “Medison Skuer Garden” të Nju Jorkut. Kampioni i madh nga Kazakistani, emri i të cilit në gjuhën ruse lexohet Galavkin, nuk u dorëzua as përpara moshës së tij 34-vjeçare.

Në raundin e katërt e hodhi në tapet kundërshtarin, veçse Xhejkobs ishte pranë një tjetër mrekullie. Djaloshi zezak ishte si në shtëpinë e tij pasi ka lindur në Bruklin të Nju Jorkut, ndërsa nofkën “Njeriu i Mrekullive” e ka marrë mbi të gjitha sepse u kthye në ring pasi fitoi betejën me kancerin e kockave. Mrekullia tjetër ishte shumë pranë, pasi Xhejkobs nuk u dorëzua pas nokdaunit, por luftoi edhe më fort duke iu afruar fitores.

Në përfundim, gjyqtarët ia dhanë fitoren kazakut me vendim unanim, veçse me diferencë të vogël. Njëri me një pikë më shumë, ndërsa dy të tjerët i dhanë tri pikë mbi amerikanin. Kjo ishte fitorja e tij e 38-të në një karrierë ku nuk njeh asnjë humbje, ndërsa mbajti titujt kampion të botës në federatat WBA, WBC, IBF dhe IBO. Gjithsesi, Xhejkobs u bë i pari boksier që mbylli një ndeshje me 12 raunde përballë Golovkinit, duke ndërprerë një seri prej 26 fitoresh radhazi me nokaut.

Sfidanti.al