Është e qartë se futbollistët dhe trajnerët janë besnikë së pari të egove të veta. Duhen njerëz tepër të fortë si Romelu Lukaku, apo dikur Stiven Xherrardi, për të mos lëvizur nga “istikami”, por kur dëgjoni lajme se “filan lojtar ka arritur akord me filan klub” mos harroni se gjithnjë ka një “kleçkë” prapa. Kjo “kleçkë” është që nëse hyn në lojë një skuadër më e rëndësishme, atëherë akordi prishet. Kështu ndodhi dy vjet më parë me Antonio Konten, që iu largua marrëveshjes me Romën për të shkuar tek Interi, dhe kështu mund të ndodhë me Granit Xhakën, që mund të zgjedhë Juventusin, për të lënë në baltë sërish Romën. Kjo, edhe pse ka një akord të lojtarit me romanistët, dhe një interesim të fuqishëm të Zhoze Murinjos për kapitenin shqiptar të Zvicrës. Arsenali është i lumtur me këtë skenar, pasi mund të rrisë pretendimet. Fillimisht, u tha se londinezët arritën një akord m verdhekuqtë për rreth 17-18 milionë eurosh, ndërsa tani besohet se çmimi i kartonit ka arritur në 20 milionë e pritet të rritet edhe më shumë.
Sfidanti.al