Sa e fortë është Portugalia e Ronaldos, kampionia e Europës në fuqi?

Në finalet e kësaj vere ka për detyrë të mbrojë titullin, gjë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por gjithashtu as për rivalët nuk do të jetë e lehtë të rrëzojnë një ekip të tillë. Portugalia habiti kontinentin kur fitoi Euro 2016-ën në Francë, ndërsa pas 5 vjetësh mund të cilësohet si ekip edhe më i fortë. Sidomos faza sulmuese është e shkëlqyer, por pa harruar mbrojtjen. Kristiano Ronaldo mbetet kapiteni edhe pse është 36 vjeç dhe jo në formën që kishte në 2016. Ai kaloi shifrën e 100 golave me Juventusin, pasi e kishte bërë me Mançester Junajtidin dhe Realin e Madridit, ndërsa është vetëm 6 gola larg rekordit botëror të Ali Daeit. Sulmuesi iranian ka shënuar 109 gola me kombëtaren, ndërsa CR7 ka 103. Portugalia ka në sulm Zhoao Feliksin e Atletikos së Madridit, Diogo Zhotanë e Liverpulit, Bernardo Silvën e Mançester Sitit, ndërsa në mesfushë dirigjon Bruno Fernandes i Mançester Junajtidit. Ekziston edhe katërshja e Uolvesit, e përbërë nga portieri Rui Patrisio, Nelson Semedo, Zhoao Mutinjo dhe Ruben Neves, po ashtu sulmuesi i Frankfurtit, Andre Silva dhe sulmuesi i ri i Sportingut, Pedro Gonsalves. Në mbrojtje është Ruben Dias i Mançester Sitit, po ashtu Zhoao Kanselo dhe Rafael Gerrero.

Sfidanti.al