Edhe kur e ndoqëm drejtpërdrejt na u duk si një moment ku agresori ishte i dyzuar, sikur i thoshte vetes “ta bëj apo mos ta bëj”. Antonio Rydiger më në fund e bëri, ia futi një dhëmb Pol Pogbasë, edhe pse nuk ishte një kafshim i vërtetë, si ata që dikur i bënte “specialisti” Luis Suarez. Mund ta quajmë një “kafshim miqësor” sepse “viktima”, Pol Pogba i Francës, deklaroi më pas se ngjarja kishte ndodhur, veçse ai nuk kishte mëri për mbrojtësin e Gjermanisë.
“Po, ai më kafshoi sepse unë ndjeva diçka, – tha Pogba, – por, unë nuk dua që ai të dënohet. Këto janë gjëra që ndodhin”. Zyrtarët e ndeshjes, së pari arbitrat, nuk e dalluan incidentin, i cili ndryshe do t’i kishte garantuar Rydigerit kartonin e kuq. Me gjasë, UEFA do të përdorë pamjet filmike dhe do të marrë një vendim, që do të ishte një ndëshkim për futbollistin e Joakim Lëvit.
Sfidanti.al