Rumenige për Klopin: Sa herë deshëm trajner, ai ishte nën kontratë!

Duket sikur tifozët e tij i kanë kërkuar llogari, se përse nuk e ka sjellë në Mynih atë që cilësohet ndoshta si trajneri më i mirë gjerman i kohëve të fundit. Karl-Hajnc Rumenige foli për Jurgen Klopin, në një intervistë për revistën “Sport Bild”, duke e vlerësuar lart, por edhe duke dhënë sqarimet.

“Sa herë që ne deshëm trajner, Klopi ishte nën kontratë, – u shpreh shefi ekzekutiv i Bajernit, – për mua, ai është një nga 3-4 trajnerët më të mirë të botës dhe ka bërë punë fantastike me Dortmundin e Liverpulin. Po ashtu, ai është shumë i sjellshëm, e kam takuar ndërsa isha me pushime me familjen, dhe ai ishte te Dortmundi. Shumë i thjeshtë dhe i këndshëm”.

Rumenige thotë se është shumë i lumtur që Klopi fitoi Championsin me Liverpulin, dhe tani Premier Ligën. “Kur u ndeshëm vjet në Champions, kolegu im Piter Mur, më tha se tifozët e duan Premier Ligën më shumë se Championsin, sepse kanë 30 vjet që presin, – tregoi Rumenige, – një kohë e pabesueshme, ndaj edhe futbolli duhej të riniste që Liverpuli të dilte kampion”. Rumenige thotë se Bajerni ka pasur trajnerë të mëdhenj, edhe pse jo Klopin, pasi e kanë drejtuar Hajnkes, Guardiola, Ançeloti dhe tani Hansi Flik.

Sfidanti.al