Vlera e aksioneve të Juventusit në bursë ka rënë 18 për qind që kur në media dolën lajmet për rihapjen e hetimit ndaj Kristiano Ronaldos në SHBA. Një goditje e rëndë jo vetëm për imazhin e klubit, por edhe për financat e tij, në një botë globale ku Juventusi e mori portugezin pikërisht për të shfrytëzuar imazhin e tij madhështor.
Edhe vetë CR7-ta mund ta ketë pisk nëse kjo çështje vazhdon gjatë dhe hijet e skandalit nuk “davariten”. Sponsorët e tij të mëdhenj si Najk (Nike) dhe Elektronik Arts e kanë distancuar vetveten nga 33-vjeçari duke bërë paralajmërime sapo hetimet u rihapën në Amerike. Ronaldo akuzohet nga një grua se e ka përdhunuar në një hotel, në vitin 2009, akuza që numri 7 juventin i hedh poshtë me forcë. Klubi i ka dalë në krah lojtarit, duke e quajtur kampion të madh, por ka pasur kritika për këtë veprim, siç bëri ish-sulmuesi i madh i Anglisë, Geri Lineker.
Sfidanti.al