Dy klubet ende nuk kanë rënë plotësisht dakord, por gjëja më e rëndësishme është kryer. Matijs De Ligt është marrë vesh me Juventusin për të qenë lojtar bardhezi duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, siç duket me ndërmjetësimin e duhur të agjentit të tij, Mino Raiola. Mediat europiane shkruajnë se do të nënshkruhet një kontratë 5-vjeçare me rrogë totale 12 milionë euro në sezon, sapo Ajaksi dhe Juventusi të “sheshojnë” gjërat.
Kartoni i qendërmbrojtësit 19-vjeçar vlerësohet nga 65 deri në 70 milionë euro, ndërsa klauzola e transferimit në Torino pritet të jetë rreth 170 milionë euro. Barcelona ishte klubi kryesor që e kërkonte De Ligtin, por refuzoi të paguante rrogën e kërkuar, ndërsa kapitenin e Ajaksit e donin edhe Paris SG e Mançester Junajtidi. Duket se Juventusi e bindi holandezin se në Itali do të ketë më shumë shanse për të luajtur titullar, dhe për të fituar trofe. Një ndihmë e madhe ishte edhe fjala e Kristiano Ronaldos, i cili e ftoi De Ligtin, pas finales së Ligës së Kombeve në Porto, mes Portugalisë dhe Holandës.
Sfidanti.al