Botërori i Futbollit të Femrave që po mbahet në Francë ka mbetur pa maskotën e saj, Etin, pasi para disa ditësh është vjedhur nga Parku i Princave. Sipas asaj që publikohet në median franceze, ishin 5 persona ata që e bënë vjedhjen e Etit në mesnatën e 20 dhe 21 qershorit.
Gjithnjë sipas medias transalpine, fillimisht autorët e vjedhjes që ishin filmuar nga kamerat e sigurisë, u argëtuan duke luajtur përballë një prej tribunave të tifozëve duke vrapuar në vendin me bar që i është rezervuar zakonisht Nejmarit dhe Mbapesë duke ‘u zhytur’ në barin e fushës së lojës për të festuar golat. Por më pas, përpara se të largoheshin, hynë në një dhomë të stadiumit duke marrë me vete edhe maskotën Eti që është një gjel i vogël dhe që deri tani i ka sjellë fat skuadrës franceze që në cerekfinale do të përballet me kampionet e botës së SHBA.
FIFA e ka bërë tashmë denoncimin te autoritetet që hapën menjëherë hetimet. për momentin vjedhësit ende nuk kanë kërkuar shpërblim, ndërkohë që në stadium do të vendoset një tjetër Eti.
sfidanti.al